
Vrasja e rreshterit Lika, Prokuroria propozon dënim me burg për të miturin
Është propozuar shqiptimi i dënimit me burgim ndaj të miturit lidhur me rastin e vrasjes së zyrtarit policor në Kaçanik. Propozimi është dhënë nga Departamenti për të Mitur i Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
“Sipas Prokurorisë, me datë 01.04.2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, saktësisht në objektin banesor, i mituri në bashkëkryerje me të pandehurit, me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin- zyrtarin policor M.L., në atë mënyrë që derisa viktima ka përfunduar orarin e punës së detyrës zyrtare dhe gjatë rrugës për në banesën e tij, ishte përcjellë në vazhdimësi nga i mituri dhe të pandehurit deri te hyrja e banesës së tij, ku pasi që hynë në objektin e banesës, duke u ngjitur shkallëve lart, i mituri i shkon mbrapa dhe hynë brenda, me ç ‘rast me të takuar të ndjerin ka shtënë katër (4) herë në drejtim të tij me armë zjarri të kalibrit 9.19 mm”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë, raporton rtk.
Më tej aty thuhet se i pandehuri brenda një intervali kohor rreth 47 sekonda, i mituri del duke vrapuar në drejtim të lokalit “Dukagjini” ku bashkohet me të pandehurin R.M., i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës “Mejdi Dalloshi”, ku derisa ishin duke vrapuar i mituri, i pandehuri dëgjohet duke thënë “Bravo ik”, dhe si pasojë e të shtënave nga plagët e marra i ndjeri M.L., ndërron jetë, siç është konstatuar në raportin e autopsisë , me të cilin konstatohet se shkaku i vdekjes ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit.
Vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, shkaktoi reagime të shumta në opinionin publik.


