Spiropali: Kosova prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë

Spiropali: Kosova prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë

Ministrja për Evropën dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se Kosova mbetet prioritet absolut i politikës së jashtme shqiptare, gjatë konferencës për media pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca. Spiropali po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Ajo e cilësoi vizitën si një moment të rëndësishëm, duke theksuar se është një nder dhe përgjegjësi që vizita e saj e parë si ministre për Evropën dhe Punë të Jashtme të zhvillohet në Prishtinë, menjëherë pas formimit të qeverisë së re të Kosovës.

“Ishte një nder i veçantë dhe një përgjegjësi e thellë që vizitën time të parë si ministre për Evropën dhe Punë të Jashtme ta bëj këtu në Prishtinë, menjëherë pas formimit të qeverisë së re, të cilës i uroj shumë suksese në konsolidimin e institucioneve demokratike, në forcimin e shtetit të Kosovës dhe në mirëqenien e qytetarëve të saj”, tha Spiropali.

Ajo shtoi se kjo vizitë vjen pas vizitave të fundit në Kosovë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit Bajram Begaj, duke e cilësuar këtë si dëshmi të qartë të prioritetit që Shqipëria i jep Kosovës.

“Për ne Kosova nuk është një zgjedhje protokolli, është një zgjedhje historie, është zgjedhje politike, është deklarim i qartë se ku qëndron prioriteti ynë kombëtar”, u shpreh ajo.

Spiropali theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë thjesht kapitull i zakonshëm i diplomacisë, por vijimësi e një rrugëtimi të përbashkët të skalitur në sakrificë, në qëndresë dhe në vendosmëri historike për përparim kombëtar.

“Viti 1999 ishte momenti kur bota pa padrejtësinë, por pa edhe dinjitetin e një populli që kërkonte të jetonte i lirë. Viti 2008 ishte momenti kur Kosova e ktheu aspiratën në shtetësi dhe fitoi vendin e saj në hartën e botës. Viti 2026 duhet jetë momenti i konsolidimit të plotë të subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe i mbylljes përfundimtare të çdo paqartësie historike për vendin e saj në Evropë. Ne nuk ndërtojmë një marrëdhënie nga e para, sigurisht, ne po forcojmë një bosht kombëtar, një aleancë të natyrshme mes dy shteteve sovrane me dy republikave motër, mes dy shteteve që kanë një marrëdhënie vëllazërore me njëri-tjetrin, që ndajnë histori, identitet, sakrificë dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen”, nënvizoi Spiropali. /rtk/

Share This