
Shea: Duhet stabilitet politik në Kosovë, ndryshe s’ka rrugë të qartë përpara në procesin e integrimit euroatlantik
Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, vlerëson se aktivizmi në Kongresin amerikan lidhur me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në aleancën ushtarake duhet kuptuar më shumë si vendosje e një agjende afatgjatë, sesa si ndikim i menjëhershëm. Ai thotë se kjo e mban Kosovën në vëmendjen politike të Uashingtonit dhe krijon hapësirë për një mundësi të ardhshme, kur kushtet në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe brenda vetë NATO-s të jenë më të favorshme.
“Por, sinqerisht, derisa të ketë stabilitet politik në Kosovë, sepse tri palë zgjedhje në 18 muaj nuk janë shenjë e mirë… ndaj, derisa të ketë më shumë stabilitet pas zgjedhjeve të qershorit, nuk pritet të ketë një rrugë të qartë përpara në procesin e integrimit euroatlantik”, thotë Shea për Radion Evropa e Lirë.
Kosova, në më pak se një muaj, do të mbajë zgjedhjet e treta parlamentare brenda një periudhe prej një viti e gjysmë, pasi dy ciklet e mëparshme nuk arritën të prodhojnë institucione të qëndrueshme, për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike.
Shea gjithashtu pajtohet se mbajtja nën presion e shteteve mosnjohëse është e rëndësishme, por shton se Kosova nuk mund të mbështetet vetëm te SHBA-ja, duke theksuar nevojën për një qasje më të balancuar drejt Evropës.

