Haki Stërmilli, shkrimtari dhe atdhetari i `Sikur të isha djalë`

Haki Stërmilli, shkrimtari dhe atdhetari i `Sikur të isha djalë`

Akademia e Shkencave kujtoi sot në ditën e lindjes shkrimtarin, publicistin dhe atdhetarin Haki Stërmilli.

Më 17 maj 1895 lindi në Dibër të Madhe Haki Stërmilli. Ai kreu shkollimin e mesëm në Manastir, por nuk mundi ta përfundojë për shkak të Luftës Ballkanike. Mbasi qyteti i Dibrës mbeti jashtë kufijve, u vendos në Shqipëri dhe nisi punë si pjesë e administratës shqiptare.
Në vitet 1915-1918 punoi si sekretar krahinor në Mat dhe Peshkopi, pastaj sekretar i parë i nënprefekturës së Matit, e gjithashtu mësues personal i motrave të Ahmet Zogut.

Në vitet 1920-1924 u përfshi në lëvizjen demokratike. Më 16 janar 1923, Ahmet Zogu e dekretoi ministër. Ai u dekretua nga Këshilli i Naltë si kryetar i Sekretarisë Sekrete. Haki Stërmilli qëndroi në këtë detyrë deri më 16 prill 1924, dhe u largua përfundimisht pas largimit të Zogut dhe emërimit të Shefqet bej Vërlacit kryeministër dhe ministër i Brendshëm. Ai është Shefi i parë i Shërbimit Sekret Shqiptar.

Pas Lëvizjes së Qershorit, mori pjesë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të shoqërisë “Bashkimi”, ku u zgjodh sekretar i shoqatës dhe ku Llazër Fundo u emërua kryetar. Me rikthimin e Zogut dhe triumfin e Legalitetit mërgoi drejt Italisë, Francës, Austrisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Lituanisë.

Pavarësisht se Zogu donte ta kishte afër, Haki Stërmilli kishte bindje demokratike dhe nuk pajtohej me qeverisjen e tij. Për një vit qëndroi në Bashkimin Sovjetik. Më vonë u takua edhe me Ali Kelmendin, bashkëpunoi edhe me KONARE-në.

Në vitin 1927 gjendet në Jugosllavi, ku qëndron në Manastir. Këtu më 17 mars 1929 në rrethana jo krejtësisht të sqaruara, dëbohet nga shteti jugosllav. Iu dorëzohet autoriteteve shqiptare në Bilisht, dhe e vendosin në Korçë, e pak ditë më pas në Tiranë, ku e shoqërojnë në burg. Ai ka pasur edhe një veprimtari të gjerë politike e patriotike. Ai ka qenë pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës, bashkëpunëtor i Avni Rustemit dhe Fan Nolit, si emigrant politik në Itali, në Francë e Austri. Ai u burgos për bindjet e tij në rrjedhë të kundërt me rrymat politike të kohës.

Gjatë Luftës së II Botërore Haki Stërmilli mori pjesë në Konferencën e Mukjes dhe iu bashkua intelektualëve antifashistë, duke luftuar me armë në krah në trevat verilindore dhe duke lënë një dëshmi të rrallë në Ditari i Luftës. Pas çlirimit u zgjodh deputet i Dibrës, por refuzoi të bëhej pjesë e Partisë Komuniste, duke mbetur besnik ndaj idealeve demokratike.

Haki Stërmilli mbetet një nga figurat më të ndritura të letrave shqipe dhe kulturës kombëtare, i njohur për romanin emblemë “Sikur të isha djalë” (1936), një vepër që për treçerek shekulli ka qenë bashkudhëtare e lexuesve shqiptarë, duke shënuar mbi dymbëdhjetë ribotime në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Ky roman, apoteozë e fuqishme për të drejtat e njeriut dhe të femrës, mbetet një dëshmi e gjallë e emancipimit kulturor dhe shoqëror.

Haki Stërmilli ka një krijimtari të pasur dhe të larmishme, ku trajtoi fatin tragjik të luftëtarit për liri dhe lidhjen e ngushtë mes jetës familjare dhe fatit të atdheut. Në krijimtarinë e tij spikasin katër drama të viteve ’20, ndër të parat të nivelit profesionist në dramaturgjinë shqiptare; veprat dokumentare “Burgu” dhe “Shtigjet e lirisë”, që pasqyrojnë përvojën e tij si i burgosur politik dhe si luftëtar antifashist; si dhe “Ditari i Luftës”, i shkruar mes maleve të Korabit e Koritnikut, që mbetet një dokument unik i përkushtimit dhe sakrificës së intelektualit demokrat. Me këto vepra ai solli një pasqyrë të rrallë të dramës historike, të idealit demokrat dhe të përkushtimit atdhetar, duke i dhënë letërsisë shqipe një dimension të ri të sinqeritetit dhe kulturës së shkrimit.

Pseudonimi i tij “Kri-Kri” është përdorur në shkrimet e tij publicistike dhe satirike, sidomos në periudhën e viteve ’20–’30, kur angazhohej me artikuj kritikë ndaj regjimit dhe shoqërisë shqiptare. Ai mbajti qëndrime lidhur me të drejtat e shqiptarëve në trevat e okupuara nga Greqia, Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi. Artikujt me pseudonimin “Kri-Kri” të Haki Stërmillit mbeten dëshmi e guximit intelektual dhe kritikës sociale.
Nga fundi i viteve 1940 deri më 17 janar 1953, kur vdiq në Tiranë ai qenë drejtor i Bibliotekës Kombëtare. /atsh/

Share This