
Abdixhiku nga Kodra e Trimave: Vranjevci po flet qartë në mbështetje të LDK-së
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një tubim elektoral në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, ku ka deklaruar se kjo lagje, e njohur edhe si Vranjevc, po shpreh mbështetje të fuqishme për LDK-në.
Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku ka vlerësuar pritjen e qytetarëve dhe ka theksuar rëndësinë e përkrahjes që, sipas tij, po vjen nga kjo pjesë e kryeqytetit.
“Kjo është Kodra e Trimave. Kjo është Prishtina. Kaq mjafton! Vranjevci po flet qartë. Sonte na la të gjithëve pa fjalë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka shtuar se në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Vranjevci dhe Prishtina do ta mbështesin fuqishëm Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Abdixhiku ka përmendur gjithashtu kandidatët e Degës I të LDK-së në Prishtinë, duke theksuar se lista përfaqësohet nga figura të dëshmuara me përvojë institucionale dhe angazhim qytetar.
“Dega I e Prishtinës në listën e LDK-së përfaqësohet nga kandidatë të dëshmuar, me përvojë institucionale, angazhim qytetar dhe përkushtim ndaj arsimit, qeverisjes lokale dhe jetës politike”, ka shkruar ai, duke përmendur kandidatët: Ismet Beqiri (37), Fadil Aliu (50), Besë Prestreshi (51) dhe Nafie Rusinovci (108).

