Kosova mbetet në nivelin 2 për trafikimin me njerëz, reagon Ministria e Punëve të Brendshme

Kosova mbetet në nivelin 2 për trafikimin me njerëz, reagon Ministria e Punëve të Brendshme

Ministria e Punëve të Brendshme ka riafirmuar përkushtimin për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), në të cilin Kosova vazhdon të renditet në nivelin e dytë për përpjekjet në luftimin e këtij fenomeni.

Sipas raportit, institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa për të luftuar trafikimin me njerëz, por vendi ende nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e këtij fenomeni.

Në reagimin e publikuar më 21 tetor, MPB-ja ka theksuar se po ndjek një qasje strategjike, me fokus në identifikimin e hershëm të viktimave, mbrojtjen e tyre dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse.

Sipas ministrisë, raporti i DASH-it evidenton përparim në disa fusha, përfshirë rritjen e financimit për ndihmën ndaj viktimave, zhvillimin e aktiviteteve parandaluese dhe dënimin e një numri më të madh personash për trafikim.

MPB-ja publikon të dhënat për vitin 2025

Sipas të dhënave të prezantuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjatë vitit 2025 institucionet identifikuan 13 viktima të trafikimit me qenie njerëzore, ndërsa në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile u ofrua ndihmë për 18 viktima.

Gjatë periudhës raportuese, sipas MPB-së, janë arrestuar 274 të dyshuar dhe janë ngritur kallëzime penale ndaj 290 personave për vepra penale që lidhen me trafikimin me njerëz, mundësimin ose detyrimin në prostitucion, marrjen me prostitucion dhe vepra të tjera të ndërlidhura.

Ministria ka vënë në pah edhe rreziqet që paraqesin teknologjia dhe përdorimi i internetit e rrjeteve sociale, të cilat mund të shfrytëzohen për rekrutimin dhe mashtrimin e viktimave të mundshme.

Në këtë drejtim, MPB-ja ka bërë të ditur se po intensifikon aktivitetet për ndërgjegjësimin e qytetarëve, me qëllim identifikimin e shenjave paralajmëruese dhe parandalimin e situatave të rrezikshme. Qytetarëve u është bërë thirrje të kenë kujdes ndaj ofertave të dyshimta dhe rasteve kur persona të caktuar kontrollohen, kërcënohen apo detyrohen të punojnë kundër vullnetit të tyre.

Fushatë vetëdijesuese në shkolla dhe përmes SMS-ve

Në kuadër të përpjekjeve për parandalimin e trafikimit, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se do të vazhdojë informimin e qytetarëve përmes mesazheve SMS, ligjëratave me nxënës dhe mësimdhënës në shkollat e vendit, si dhe shpërndarjes së materialeve informuese për mënyrat e raportimit të rasteve të dyshimta.

MPB-ja ka theksuar se luftimi i trafikimit me qenie njerëzore kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, organizatave dhe qytetarëve.

Në fund, ministria u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë rastet e dyshimta tek institucionet kompetente, duke siguruar se informacionet trajtohen në mënyrë konfidenciale dhe se mbrojtja e të dhënave të raportuesve bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Share This