Zelensky: Presim që SHBA të caktojë datën e takimit të ardhshëm katërpalësh, me pjesëmarrjen e Evropës

Zelensky: Presim që SHBA të caktojë datën e takimit të ardhshëm katërpalësh, me pjesëmarrjen e Evropës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Kievi është në pritje që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të caktojnë datën për takimin e radhës të ekipeve negociatore, i cili pritet të zhvillohet në format katërpalësh, duke përfshirë tashmë edhe Evropën.

Lajmi u bë i ditur nga vetë kreu i shtetit ukrainas përmes një postimi në rrjetin social Facebook, pas takimit që zhvilloi me ministrin e Jashtëm të Estonisë, Margus Tsahkna.

“Ukraina ka bërë shumë për ta përfshirë plotësisht Evropën në procesin e paqes me Amerikën. Dhe tani po presim që pala amerikane të caktojë një datë për takimin e ardhshëm, i cili tani duhet të jetë katërpalësh”, u shpreh Zelensky.

Duke folur për bashkëpunimin dypalësh me Estoninë, presidenti ukrainas vlerësoi vizitën e ministrit Tsahkna, i cili mbërriti në Kiev për herë të katërt vetëm gjatë këtij viti, duke parë nga afër shkallën e përshkallëzimit të agresionit rus.

“E informova atë mbi sulmet ndaj infrastrukturës sonë energjetike. Rusia po investon shumë në përpjekjet e saj për të shkatërruar normalitetin e jetës së përditshme. Prandaj, çdo gjë që forcon qëndrueshmërinë tonë ka rëndësi. Diskutuam për ndihmën në sektorin e energjisë dhe përgatitjet për Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës, e cila do të zhvillohet në Estoni në fillim të vitit të ardhshëm. Sigurisht, folëm edhe për negociatat dhe garancitë e ardhshme të sigurisë,” tha Zelensky pas takimit, duke shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e Estonisë në të gjitha fushat kyçe.

Raundi i mëparshëm i bisedimeve trepalëshe mes Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë u zhvillua në Abu Dhabi më 10 dhe 11 nëntor.

Rezultatet kryesore të atij takimi përfshinin arritjen e një marrëveshjeje për shkëmbimin më të madh të të burgosurve të realizuar ndonjëherë, angazhimin për vijimin e negociatave, si dhe dakordësinë për të përfshirë përfaqësuesit evropianë në këtë proces. /rtsh/

Share This