
SHBA rrit në 50 milionë dollarë shpërblimin për arrestimin e presidentit venezuelian Maduro
Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten rritjen në 50 milionë dollarë të shpërblimit për informacion që çon në arrestimin e presidentit venezuelian Nicolas Maduro, i akuzuar nga drejtësia amerikane për trafik ndërkombëtar droge.
Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi e cilësoi Maduros si “një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë dhe një kërcënim për sigurinë kombëtare” të SHBA-ve. Sipas saj, gjatë dy dekadave, Maduro drejtoi të ashtuquajturin “Karteli i Diejve” që bashkëpunoi me guerilët kolumbianë të FARC-ut, bandën venezueliane Tren de Aragua dhe kartelin meksikan Sinaloa, duke transportuar qindra ton kokainë drejt SHBA-ve dhe duke gjeneruar qindra milionë dollarë fitime.
DEA ka sekuestruar deri tani 30 ton kokainë të lidhur me rrjetin e Maduros, prej të cilave rreth shtatë ton të lidhura drejtpërdrejt me të, si dhe mbi 700 milionë dollarë asete, përfshirë dy avionë qeveritarë venezuelianë.
Qeveria e Venezuelës e dënoi ashpër vendimin amerikan. Ministri i Jashtëm, Yvan Gil, e quajti shpërblimin “patetik” dhe “qesharak”, duke theksuar se “dinjiteti i atdheut nuk është në shitje” dhe duke e cilësuar nismën si një “operacion të shëmtuar propagande politike”.
Maduro përballet me burgim të përjetshëm nëse ekstradohet dhe shpallet fajtor. Ai i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar “të rreme dhe të pavërteta”. /rtsh/


