
SHBA paralajmëron Hamasin
SHBA-të thonë se kanë “raporte të besueshme” se Hamasi po planifikon një sulm “të menjëhershëm” ndaj civilëve në Gaza, të cilin e quajnë një shkelje “të drejtpërdrejtë dhe të rëndë” të marrëveshjes së armëpushimit.
Një sulm i planifikuar kundër palestinezëve do të “minonte progresin e rëndësishëm të arritur nëpërmjet përpjekjeve të ndërmjetësimit”, thotë Departamenti amerikan i Shtetit.
Hamasi ka mohuar fuqimisht çdo sulm të planifikuar dhe nga ana tjetër ka akuzuar Izraelin për mbështetjen e grupeve të armatosura rivale në Gaza. Megjithatë, Hamasi ka rivendosur kontrollin në vakumin e pushtetit që pasoi tërheqjen e pjesshme të Izraelit.
Departamenti i shtetit tha se kishte informuar tashmë garantuesit e tjerë të marrëveshjes së paqes në Gaza – që përfshijnë Egjiptin, Katarin dhe Turqinë – dhe kërkoi që Hamasi të mbështesë përfundimin e kushteve të armëpushimit.
“Nëse Hamasi vazhdon me këtë sulm, do të merren masa për të mbrojtur popullin e Gazës dhe për të ruajtur integritetin e armëpushimit”, thuhet në deklaratën e SHBA-së.
Presidenti Donald Trump e ka paralajmëruar më parë Hamasin kundër vrasjes së civilëve.
“Nëse Hamasi vazhdon të vrasë njerëz në Gaza, gjë që nuk ishte Marrëveshja, nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të hyjmë dhe t’i vrasim”, tha Trump në një postim në Truth Social më parë këtë javë. Por më vonë sqaroi se nuk do të dërgonte trupa amerikane në Gaza.
Javën e kaluar, BBC publikoi një video të verifikuar që tregonte një ekzekutim publik të kryer nga persona të armatosur të Hamasit në Gaza.
Përleshje të ashpra shpërthyen një javë më parë – ku përfshiheshin forcat e sigurisë së Hamasit dhe anëtarëve të armatosur të familjes Dughmush në Qytetin e Gazës.
Njëzet e shtatë persona u vranë në atë që ishte një nga konfrontimet më të dhunshme të brendshme që nga përfundimi i operacioneve të mëdha izraelite në enklavë.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) ende mbajnë nën kontroll pak më shumë se 50% të Rripit të Gazës, pasi janë tërhequr, sipas Fazës 1 të planit të Trump, në një “Vijë të Verdhë” të dakordësuar.
Hamasi, i cili ka sunduar territorin për 18 vjet, po përballet me një sfidë nga grupe të armatosura, të tilla si Forcat Popullore të Abu Shabab, banda për të cilat thotë se po armatosen dhe mbështeten nga Izraeli. /rtk/


