
SHBA-ja do të ndërtojë një bazë ushtarake prej 500 milionë dollarësh në kufirn Izrael-Gaza
SHBA-ja ka planifikuar të ndërtojë një bazë ushtarake me vlerë 500 milionë dollarë në Izrael pranë kufirit me Gazën – për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në enklavën palestineze, tha sot media izraelite, sipas “TRT World”.
“Uashingtoni kërkon të krijojë një bazë të madhe ushtarake në zonën kufitare me Gazën, e cila do të shënonte një përshkallëzim të konsiderueshëm të aktivitetit amerikan në Izrael”, tha e përditshmja “Yedioth Ahronoth”, duke cituar zyrtarë anonimë izraelitë.
“Baza do të strehojë një task forcë ndërkombëtare, e cila u ra dakord të formohej sipas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza për të monitoruar zbatimin e armëpushimit brenda enklavës”, thanë burimet.
Disa mijëra ushtarë amerikanë do të vendosen në bazë.
Sipas gazetës, ky do të jetë instalacioni i parë ushtarak amerikan në shkallë të gjerë në territorin izraelit, i cili nënvizon angazhimin e thelluar të SHBA-së ndaj përpjekjeve të stabilizimit pas luftës në Gaza.
Gjatë dy viteve të luftës gjenocidale të Tel Avivit në Gaza, SHBA-ja instaloi një sistem mbrojtës raketor THAAD, i cili u përdor në kapjen e raketave dhe dronëve iranianë gjatë një konflikti 12-ditor me Izraelin.
“Themelimi i një baze amerikane në tokën izraelite tregon se sa i vendosur është Uashingtoni për t’u përfshirë në Gaza dhe në konfliktin më të gjerë izraelito-palestinez”, tha një zyrtar izraelit.
Disa zyrtarë amerikanë, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance thanë më herët se nuk do të kishte ushtarakë amerikanë në terren në Gaza.
Aktualisht, 200 ushtarë amerikan janë të stacionuar në Qendrën e Koordinimit Civilo-Ushtarak (CMCC) të mbështetur nga SHBA-ja në Kiryat Gat në Izraelin jugor për të monitoruar armëpushimin.
Sipas zyrtarëve izraelitë, qendra e udhëhequr nga SHBA-ja pritet të marrë kontrollin e plotë të shpërndarjes së ndihmës humanitare në Gaza, duke përjashtuar COGAT-in e Izraelit, i cili është një njësi e Ministrisë së Mbrojtjes izraelite e ngarkuar me koordinimin logjistik midis Gazës dhe Izraelit.
Raportet e medias izraelite nuk specifikuan vendndodhjen e saktë të objektit të planifikuar, ndërsa treguan se janë duke u zhvilluar studime në vendet e mundshme.
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga SHBA-ja ose Izraeli mbi raportin.
Marrëveshja e armëpushimit në Gaza hyri në fuqi më 10 tetor, bazuar në një plan prej 20 pikash nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të palestinezëve të mbajtur nga Izraeli.
Plani gjithashtu parashikon rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.
Që nga tetori i vitit 2023, gjenocidi i Izraelit ka vrarë më shumë se 69,000 njerëz dhe ka plagosur më shumë se 170,600, sipas zyrtarëve të Shëndetësisë në Gaza. /atsh/


