
Presidenti Ademi nga Washingtoni: “Moment historik për Kosovën, për herë të parë pjesë e shortit të Botërorit 2026”
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka njoftuar nga Washington D.C. për pjesëmarrjen e delegacionit të FFK-së në shortin e Kupës së Botës 2026, ku Kosova për herë të parë bëhet pjesë e këtij procesi historik.
Ademi ka publikuar edhe një fotografi të realizuar pranë Shtëpisë së Bardhë, së bashku me përzgjedhësin Franco Foda, duke e cilësuar këtë vend si simbol të demokracisë dhe të mbështetjes së vazhdueshme amerikane për popullin e Kosovës.
“Në Washington D.C. ndodhemi për shortin e Kupës së Botës 2026, ku Kosova për herë të parë bëhet pjesë e shortit. Një moment historik për futbollin dhe për vendin tonë”, ka shkruar Ademi.
Ai shtoi se Kosova është e vetëdijshme për sfidat që e presin në përballjet e “play-off”-it, por theksoi se besimi dhe përkushtimi për kualifikim mbeten të palëkundura.
“Para nesh janë dy sfida të vështira, por besimi në Dardanët tanë është i madh. Të bashkuar për sukses. Forca Kosovë!”, përfundoi presidenti i FFK-së.


