
Osmani: Masakra e Krushës, përpjekje e Serbisë për të shfarosur shqiptarët
Në tubimin përkujtimor në përvjetorin e 27-të të masakrës së Krushës së Madhe, presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, tha se krimi i Serbisë në këtë vend ishte me paramendim e masakër e planifikuar, si përpjekje për të shfarosur shqiptarët nga tokat e tyre.
E para e shtetit tha se në marsin e vitit 1999 toka Krushës u mbulua me dhimbje të papërshkrueshme.
“241 banorë të Krushës u masakruan nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, në mesin e tyre edhe 7 fëmijë e pesë gra përfshirë një grua shtatzënë. Ata nuk u vranë në betejë, por në fshatin e tyre, shtëpitë e tyre. Ky ishte një krim me paramendim, ishte masakër e planifikuar, akt i qëllimshëm për të shuar jetë, për të shuar kujtesë, për të shuar vetë ekzistencën e banorëve të këtij fshati, përpjekje për të shfarosur shqiptarët nga tokat e tyre”, tha Osmani, derisa përmendi edhe 64 banorët e këtij vendi që ende figurojnë të zhdukur, përfshirë edhe veprimtarin, Ukshin Hoti.
“Në mesin e këtyre plagëve të hapura qëndron edhe fati ende i pazbardhur i Ukshin Hotit, zërit që asnjëherë nuk pranoi të nënshtrohej, ishte figurë politik e akademike që artikuloi lirinë si të drejtë e domosdoshmëri”.
Megjithatë, tha Osmani, përballë tragjedisë, Krusha e Madhe nuk u thye.
“U ngritën gra që dëshmuan se jeta është më e fortë se vdekja, një prej tyre është Fahrije Hoti, një grua që e ktheu dhimbjen në forcë, humbjen në qëndresë dhe lotin në punë e në dinjitet”, tha ajo, raporton rtk.


