
Krasniqi reagon pas protestës në Hagë për ish-krerët e UÇK-së
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas protestës masive të zhvilluar sot në Hagë, ku mijëra qytetarë nga Kosova dhe diaspora shprehën mbështetje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me aktakuza në Dhomat e Specializuara.
“Me sy e me zemër sot në Hagë, ku me mijëra qytetarë e bashkatdhetarë, nga çdo cep i atdheut dhe i botës, u ngritën si një trup i vetëm për të protestuar për drejtësi. Për të mbrojtur çlirimtarët tanë dhe luftën tonë të shenjtë për liri. Kosova nuk i harron bijtë e saj!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Protesta u organizua si shenjë solidariteti me ish-krerët e UÇK-së, me qëllim dërgimin e një mesazhi të qartë për botën: lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme për lirinë e popullit të Kosovës.

