Ademi e cilësoi këtë kampanjë si një nga më të suksesshmet për Kosovën, duke theksuar rritjen e ekipit dhe stabilitetin që është krijuar brenda grupit. Sipas tij, rezultatet dhe loja e treguar kanë rritur besimin se “Dardanët” mund të bëjnë hapin e madh në këtë edicion.

Një vlerësim i veçantë nga presidenti shkoi edhe për lojtarët e afruar së fundmi, të cilët sipas tij janë integruar shpejt dhe kanë dhënë impakt të menjëhershëm në fushë. Ai nënvizoi se konkurrenca brenda skuadrës është rritur ndjeshëm, duke e bërë ekipin më të fortë dhe më të kompletuar.

Duke folur për përzgjedhësin Franco Foda, Ademi u shpreh se ai tashmë është familjarizuar plotësisht me Kosovën, mentalitetin dhe futbollin vendas. Sipas tij, puna e Fodës po reflektohet në disiplinën taktike dhe organizimin e ekipit në ndeshjet e fundit.

Sa i përket atmosferës në Sllovaki, Ademi vlerësoi mikëpritjen dhe sjelljen e tifozëve vendas, duke theksuar se deri më tani gjithçka ka shkuar në mënyrë korrekte dhe sportive.

Në fund, presidenti u ndal te ëndrra e madhe – kualifikimi në Kupën e Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai e lidhi këtë synim me shpirtin e “odës shqiptare”, duke theksuar unitetin, traditën dhe mbështetjen që e shtyn përpara ekipin kombëtar. /telegrafi/