
Osmani: Thirrjet e Vuçiqit për luftë janë jehonë e rrezikshme e kapitujve të errët të historisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se “të gjithë po përgatiten për luftë”.
Në një reagim të publikuar të shtunën, Osmani ka theksuar se thirrjet e pamatura për luftë nga ana e Vuçiqit përbëjnë “një jehonë të rrezikshme të kapitujve më të errët të historisë së kohëve të fundit”.
Ajo i është referuar deklaratës së Vuçiqit të bërë të premten, ku ky i fundit ka pretenduar se Kosova po përpiqet ta përdorë ‘kohën para luftës’ për të bindur vendet e NATO-s dhe shumicën e shteteve evropiane që të mbajnë anën e saj.
Presidentja Osmani kujtoi se, pavarësisht viteve të angazhimit të palodhur të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për paqe dhe stabilitet në rajon, Vuçiq po tregon se nuk e ka zgjedhur rrugën e pajtimit.
“Në vend të ndryshimit të faqes, Vuçiqi dhe regjimi i tij janë duke flirtuar edhe një herë me fantazitë e njëjta destruktive që kanë shkatërruar shumë jetë të pafajshme”, thuhet në reagimin e Presidencës në platformën X.
Reagimi i Osmanit vjen një ditë pas deklaratave të tensionuara të Vuçiqit, të cilat kanë ngjallur shqetësim për retorikën e re luftënxitëse të Beogradit ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë në rajon.


