
OKB: Të paktën 42 të vdekur pas përmbytjes së varkës në brigjet e Libisë
Të paktën 42 persona rezultojnë të zhdukur dhe mendohet se kanë vdekur pasi një varkë që transportonte emigrantë u përmbys në brigjet e Libisë javën e kaluar, tha sot agjencia e emigracionit e OKB-së, sipas AP.
“Shtatë të mbijetuar janë gjetur pasi motori i varkës u prish për shkak të valëve të larta rreth agimit të 3 nëntorit, disa orë pasi ajo u nis nga Zuwara, një qytet bregdetar në veriperëndim të Libisë”, tha Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, IOM.
Të mbijetuarit mbetën të bllokuar për gjashtë ditë dhe u gjetën pasi autoritetet libiane kryen një mision shpëtimi pranë Fushës së Naftës al-Buri të shtunën.
Varka mbante 47 burra dhe dy gra. Të zhdukurit përfshijnë 29 sudanezë, tetë somalezë, tre shtetas kamerunas dhe dy emigrantë nga Nigeria.
IOM ka ofruar kujdes mjekësor urgjent, ujë dhe ushqim për të mbijetuarit, të cilët janë dërguar në Tripoli ku thuhet se janë në gjendje të qendrueshme.
Libia ka qenë një pikë kryesore tranziti për emigrantët që largohen nga lufta dhe varfëria në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Vendi është zhytur në kaos pas një kryengritjeje të mbështetur nga NATO që rrëzoi dhe vrau autokratin, Moamar Gadhafi në vitin 2011. /atsh/


