Macron: Kur dikush sulmon Qipron, sulmon Evropën

Macron: Kur dikush sulmon Qipron, sulmon Evropën

Presidenti francez Emmanuel Macron ka shprehur mbështetjen e plotë të Francës për Qipron, duke theksuar se çdo sulm ndaj saj përbën një sulm ndaj gjithë Evropës.

“Kur dikush sulmon Qipron, sulmon Evropën. Çështja e Qipros është një çështje shumë e rëndësishme. Fakti që ne qëndrojmë pranë njëri-tjetrit tregon forcën e partneritetit të tre vendeve”, deklaroi Macron, duke shprehur gjithashtu solidaritet me vendet që janë bërë objekt i sulmeve.

Presidenti francez theksoi se qëndrimi i vendeve evropiane duhet të mbetet mbrojtës, me qëllim garantimin e sigurisë në rajon dhe lundrimit të lirë në det. Ai iu referua edhe operacionit “Mburoja”, ndërsa njoftoi nisjen e një operacioni të ri shoqërimi me cisterna.

Sipas Macron, prania ushtarake franceze në Mesdhe do të vazhdojë me tetë fregata, njësi amfibe dhe aeroplanmbajtësen franceze. “Qëllimi ynë është të sigurojmë mbrojtjen e qytetarëve evropianë dhe lundrimin e sigurt”, tha ai.

Macron shtoi se Franca ka dërguar në Qipro sistemin e mbrojtjes ajrore Mistral dhe një fregatë, pas sulmeve me raketa ndaj ishullit.

Duke folur për situatën në rajon, ai e cilësoi atë “jashtëzakonisht shqetësuese”, veçanërisht në Liban. Macron u bëri thirrje si Hezbollahut ashtu edhe Izraelit që të ulin tensionet, duke theksuar se përpjekjet diplomatike vazhdojnë për rikthimin e paqes.

Në fund, ai njoftoi se brenda kuadrit të G7 do të ketë koordinim të ri për çështjet e energjisë, në një kohë kur çmimet e naftës dhe gazit natyror po rriten. “Ky është solidaritet në veprim”, tha Macron. /rtsh/

Share This