
“Nesër flet populli!”, Hamza bën thirrje për pjesëmarrje masive në Marshin për Liri
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka ftuar qytetarët që nesër t’i bashkohen “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke filluar nga ora 14:00.
Hamza ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke theksuar se marshimi do të jetë një dëshmi se, sipas tij, Kosova nuk harron dhe nuk hesht, transmeton Klankosova.tv.
“Nesër marshojmë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Nesër marshojmë për të vërtetën, për lirinë, për UÇK-në dhe për Kosovën!”, ka theksuar ai.
Pos tjerash, ai shtoi se nesër, Kosova duhet të bashkohet si një trung i vetëm.
“Çdo brezi, të paktën një herë gjatë jetës, i kërkohet të dëshmojë se çfarë kujton, çfarë vlerëson dhe për çfarë është i gatshëm të qëndrojë. Nesër Kosova duhet të ngrihet në këmbë, i bashkuar si një trung i vetëm. Nesër flet populli!”, tha ai.
Kujtojmë se më 16 shtator, do të shpallet verdikti finale ndaj katërshes së UÇK-së.

