
Ministri Sveçla: Xhandarmëria serbe plagos dhe rrëmben qytetar kosovar, kërkohet reagim ndërkombëtar
Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka denoncuar një sulm të xhandarmërisë serbe ndaj një qytetari të Kosovës, me inicialet M.V., duke theksuar se rasti përbën vazhdimësi të politikave të frikësimit dhe dhunës ndaj qytetarëve që nuk i nënshtrohen regjimit të Vuçiqit.
“Serbia po vazhdon me veprimet e saj destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës, duke cënuar hapur integritetin tonë territorial. Xhandarmëria serbe ka plagosur, duke tentuar ta vrasë dhe më pas e ka rrëmbyer një qytetar kosovar,” ka shkruar Sveçla në një postim zyrtar.
Ai ka kujtuar se veprime të tilla janë të përsëritura dhe të pandëshkuara, duke përmendur incidentet e dy viteve të fundit ku njësitë speciale serbe kishin rrëmbyer pjesëtarë të policisë kosovare dhe kishin kryer sulme të tjera në zonën e Banjskës.
“Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë,” ka shtuar Sveçla.
Ministri në detyrë ka bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar të reagojë me veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, për të parandaluar përsëritjen e këtyre akteve armiqësore.
“Kjo është koha e fundit që faktori ndërkombëtar të ndërmarrë masa të qarta, në mënyrë që këto akte të mos përsëriten më kurrë,” ka theksuar Sveçla.


