Messi dhe Salah përballen sërish, statistikat favorizojnë argjentinasin

Messi dhe Salah përballen sërish, statistikat favorizojnë argjentinasin

Lionel Messi dhe Mohamed Salah do të jenë protagonistët kryesorë të sfidës mes Argjentinës dhe Egjiptit në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Botës 2026, në një përballje që pritet të tërheqë vëmendjen e gjithë botës së futbollit.

Argjentina synon të vazhdojë mbrojtjen e titullit botëror, ndërsa Messi mbetet lideri absolut i kampionëve në fuqi. Ylli argjentinas ka shënuar shtatë gola në këtë Botëror, duke kryesuar listën e golashënuesve së bashku me Kylian Mbappe dhe Erling Haaland, megjithëse me një ndeshje më pak të zhvilluar.

Në anën tjetër, Mohamed Salah do të udhëheqë Egjiptin në përpjekjen për të shkaktuar befasi ndaj kampionëve të botës.

Edhe pse kjo është përballja e tyre e parë në nivel kombëtaresh, Messi dhe Salah janë ndeshur më parë në Ligën e Kampionëve gjatë kohës kur argjentinasi luante te Barcelona.

Përballja e parë erdhi në sezonin 2015/16, kur Salah ishte i huazuar te Roma. Ndeshja në “Olimpico” përfundoi 1-1 dhe asnjëri prej tyre nuk gjeti rrjetën. Në sfidën e kthimit, Salah mungoi për shkak të lëndimit, ndërsa Messi realizoi dy gola në fitoren bindëse 6-1 të Barcelonës.

Takimi më i paharrueshëm mes tyre mbetet gjysmëfinalja e Ligës së Kampionëve në sezonin 2018/19. Messi ishte vendimtar në ndeshjen e parë me dy gola në triumfin 3-0 të Barcelonës, duke e vendosur ekipin katalanas në pozita ideale për kualifikim.

Megjithatë, Salah mungoi në ndeshjen e kthimit për shkak të një lëndimi, ndërsa Liverpool realizoi një nga rikthimet më të mëdha në historinë e futbollit, duke fituar 4-0 në “Anfield”, eliminuar Barcelonën dhe më pas duke fituar trofeun e Ligës së Kampionëve ndaj Tottenhamit.

Përballja e sotme në Kupën e Botës sjell një kapitull të ri në rivalitetin mes dy prej futbollistëve më të mëdhenj të brezit të tyre, me Messin që kërkon të vazhdojë rrugëtimin drejt një tjetër titulli botëror, ndërsa Salah synon të udhëheqë Egjiptin drejt një prej surprizave më të mëdha të turneut.

Share This