
LDK nis fushatën në Obiliq, Abdixhiku premton 5 miliardë euro investime dhe pavarësi energjetike
Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur sot zyrtarisht tubimet elektorale, me takimin e parë të mbajtur në qytetin e Obiliqit.
Në këtë tubim, kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, prezantoi prioritetet kryesore të programit qeverisës, duke premtuar investime në vlerë prej 5 miliardë eurosh në sektorë kyç të zhvillimit të vendit.
Sipas Abdixhikut, këto investime do të përfshijnë infrastrukturën, energjinë, furnizimin me ujë, hekurudhat, sportin dhe kulturën, si dhe ndërtimin e një centrali të ri me gaz për të siguruar pavarësinë energjetike të Kosovës.
“Pesë miliardë euro investime në infrastrukturë, energji, ujë, hekurudha, sport dhe kulturë. Centrali i ri me gaz për pavarësi energjetike. Rrugë që lidhin rajonet dhe projekte që hapin vende të reja pune”, deklaroi Abdixhiku para qytetarëve të Obiliqit.
Ai theksoi se zhvillimi ekonomik nuk mund të ndërtohet duke cenuar shëndetin e qytetarëve dhe se prodhimi i energjisë duhet të bëhet vetëm duke respektuar standardet mjedisore.
“Zhvillimi nuk mund të ekzistojë pa përgjegjësi sociale. Obiliqi nuk mund të mbetet zonë flijimi për rehati politike. Prandaj, programi ynë parasheh investime serioze në energji të pastër, modernizimin e kapaciteteve ekzistuese dhe mbrojtje reale të mjedisit”, u shpreh Abdixhiku.
LDK ka paralajmëruar se tubimet elektorale do të vazhdojnë edhe në qytete të tjera të Kosovës gjatë ditëve në vijim.


