Abdixhiku pas rizgjedhjes në krye të LDK-së: Vendimi i delegatëve është përgjegjësi e re për mua

Abdixhiku pas rizgjedhjes në krye të LDK-së: Vendimi i delegatëve është përgjegjësi e re për mua

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë, ku arriti të ruajë pozitën e kryetarit pas një votimi të ngushtë mes delegatëve.

Në reagimin e tij, Abdixhiku tha se, ndonëse kishte konsideruar se mbajtja e këtij kuvendi ishte e panevojshme dhe e nxituar, tani e pranon me përulësi vendimin e delegatëve dhe e sheh atë si një përgjegjësi të re për të udhëhequr partinë.

“Kam besuar se ky Kuvend ishte i panevojshëm, i dëmshëm dhe i ngutshëm. Sot ai i përket së shkuarës. E pranoj me përulësi vendimin e delegatëve dhe e marr atë si një përgjegjësi të re për ta ruajtur me fanatizëm kahjen e LDK-së. LDK-ja i takon anëtarësisë dhe ky është verdikti më i rëndësishëm që dha mbrëmë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai theksoi se zhvillimet e fundit kanë qenë një sprovë për partinë, por shtoi se ato nuk duhet të cenojnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar LDK-ja.

“Sprovat nuk duhet të na ndryshojnë vlerat. LDK-ja është ndërtuar mbi kulturën e dialogut, maturisë dhe respektit për mendimin ndryshe. Pikërisht këto vlera duhet të na udhëheqin edhe në këtë fazë”, u shpreh ai.

Abdixhiku falënderoi të gjithë delegatët, si ata që i dhanë mbështetje, ashtu edhe ata që votuan ndryshe, duke theksuar se demokracia ndërtohet mbi respektin dhe jo mbi njëzëshmërinë.

“Kam mirënjohje për ata që më besuan. Po aq mirënjohje edhe për ata që menduan ndryshe. Demokracia nuk kërkon njëzëshmëri, por respekt”, përfundoi ai.

Share This