
Fluks rekord në Morinë, mbi 1.3 milionë hyrje-dalje vetëm gjatë korrikut
Pika Kufitare e Morinit po përjeton një nga periudhat më të ngarkuara të vitit, me mijëra qytetarë që kalojnë çdo ditë kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë për pushimet verore, transmeton albinfo.
Sipas të dhënave të autoriteteve kufitare, vetëm gjatë 12 orëve të fundit janë përpunuar mbi 21 mijë qytetarë dhe më shumë se 6 mijë automjete. Prej tyre, mbi 12 mijë persona kanë hyrë në territorin e Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër kanë dalë nga vendi.
Për të shmangur kolonat dhe vonesat, në Pikën Kufitare të Morinit janë vënë në funksion 12 sportele, ndërsa vazhdon të zbatohet marrëveshja për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë, e cila ka lehtësuar ndjeshëm qarkullimin gjatë sezonit turistik.
Pushuesit nga Kosova vazhdojnë ta rendisin Shqipërinë ndër destinacionet e tyre kryesore verore, duke vlerësuar afërsinë, bregdetin dhe ofertën turistike.

