Kurti reagon pas njohjes nga Bahamas: Po shtohen miqësi të reja dhe mundësi bashkëpunimi për Kosovën

Kurti reagon pas njohjes nga Bahamas: Po shtohen miqësi të reja dhe mundësi bashkëpunimi për Kosovën

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vendimit të shtetit të Bahamas për të njohur pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë si një tjetër sukses në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

Përmes një postimi, Kurti uroi qytetarët e Kosovës dhe shprehu mirënjohje të veçantë për presidenten Vjosa Osmani, zyrtarët shtetërorë dhe partnerët ndërkombëtarë për kontributin e dhënë në këtë proces.

“Viti 2024 ishte viti i pasaportës sonë. Viti 2025 është viti i njohjeve të reja, pas një kohe të gjatë. Bahamas bëhet shteti i katërt sivjet dhe i 121-ti që e njeh Republikën tonë si shtet të pavarur dhe sovran”, ka shkruar Kurti.

Ai theksoi se njohja nga Bahamas i shton Kosovës miqësi të reja dhe hap mundësi të reja bashkëpunimi në arenën ndërkombëtare.

“Kosovës po i shtohen miqësitë e reja dhe, bashkë me to, edhe mundësitë e bashkëpunimit. Mezi presim që njohjen e ndërsjellë ta kthejmë në partneritet të sinqertë me shtetin dhe popullin e Bahamas”, u shpreh Kurti.

Njohja nga Bahamas shënon një tjetër hap pozitiv për Kosovën në raport me konsolidimin e pozitës së saj ndërkombëtare.

Share This