Krasniqi: Vendimi i Kushtetueses i prerë, kryesuesi ta thërrasë seancën

Krasniqi: Vendimi i Kushtetueses i prerë, kryesuesi ta thërrasë seancën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me seancën konstituive të Kuvendit.

Sipas Krasniqit seancat e Kuvendit nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 janë shpallur të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, siç tha ai, për shkak të veprimeve kundërkushtetuese të kryesuesit të seancës konstituive.

Krasniqi ka thënë se tani kryesuesi është i detyruar të vazhdojë procedurat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të hapur.

“Ky është një vendim i prerë dhe i detyrueshëm dhe nuk ka më hapësirë për vonesa e as për interpretime. I bëj thirrje Kryesuesit që ta thërrasë sa më shpejt seancën e radhës, në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Tutje kreu i PDK-së ka thënë se Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për zvarritje.

“Çdo ditë vonesë është dëm për qytetarët dhe për shtetin”, ka shtuar ai.

Share This