
KFOR-i dhe Policia e Kosovës shkëmbejnë përvoja për komunikim më efektiv me publikun
Komanda Rajonale-Lindje e misionit të KFOR-it ka organizuar në kampin Bondsteel një aktivitet profesional me zyrtarë rajonalë të Policisë së Kosovës për informim publik, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe përmirësimin e komunikimit ndërmjet dy institucioneve.
Sipas njoftimit të KFOR-it, gjatë këtij takimi pjesëmarrësit kanë ndarë përvojat e tyre dhe kanë diskutuar praktikat e komunikimit publik, përfshirë hartimin e mesazheve, marrëdhëniet me mediat dhe përdorimin e rrjeteve sociale.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe rrëfimit vizual përmes pajisjeve mobile, si dhe përdorimit të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në proceset e komunikimit.
KFOR-i ka vlerësuar se shkëmbime të tilla profesionale krijojnë mundësi për të mësuar nga përvojat e ndërsjella, për të zhvilluar marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe për të përmirësuar koordinimin mes pjesëmarrësve.
Aktiviteti synon të kontribuojë në komunikim më të shpejtë, të saktë dhe të besueshëm me publikun, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.

