Irani përgatitet për funeralin madhështor të Ali Khameneit, masa të rrepta sigurie në Teheran

Irani përgatitet për funeralin madhështor të Ali Khameneit, masa të rrepta sigurie në Teheran

Katër muaj pas vrasjes së Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, gjatë luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, autoritetet iraniane po përgatiten për një ceremoni mortore njëjavore që pritet të zhvillohet nga 4 deri më 9 korrik në pesë qytete të Iranit dhe Irakut.

Sipas autoriteteve, funerali do të jetë një nga operacionet më të mëdha logjistike në historinë e Republikës Islamike. Miliona besimtarë dhe qytetarë pritet të marrin pjesë në ceremonitë përkujtimore, ndërsa janë mobilizuar institucione shtetërore, universitete, forca të sigurisë, zjarrfikës, punonjës të ndihmës emergjente dhe grupe fetare për të menaxhuar fluksin e pjesëmarrësve.

Në Irak, ku shumica e popullsisë është myslimane shiite, autoritetet gjithashtu presin miliona njerëz që do të nderojnë figurën e Khameneit. Prej më shumë se dhjetë ditësh, mediat shtetërore iraniane kanë intensifikuar mbulimin kushtuar ish-udhëheqësit suprem, duke transmetuar dokumentarë dhe programe për jetën e tij, ndërsa çështjet politike dhe negociatat me Shtetet e Bashkuara kanë kaluar në plan të dytë.

Sipas autoriteteve iraniane, ceremonia synon të përcjellë mesazhin se Republika Islamike mbetet e qëndrueshme pavarësisht luftës dhe humbjes së liderit të saj. Khamenei dhe disa anëtarë të familjes së tij u vranë gjatë fazave të para të konfliktit ushtarak mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit në fund të shkurtit. Mediat shtetërore raportuan se mes viktimave ishin edhe dhëndri, vajza e madhe, nusja dhe mbesa e tij 14-muajshe.

Një nga pikëpyetjet kryesore para ceremonisë mbetet nëse Udhëheqësi i ri Suprem, Mojtaba Khamenei, do të dalë për herë të parë në publik për të udhëhequr lutjet mortore për të atin. Mojtaba Khamenei besohet se u plagos rëndë gjatë të njëjtit sulm, ku humbi edhe nënën dhe bashkëshorten. Që prej fillimit të luftës ai nuk është shfaqur publikisht, duke komunikuar vetëm përmes deklaratave me shkrim. Zyrtarët iranianë këmbëngulin se ai është rikuperuar dhe po drejton procesin e negociatave me Uashingtonin, por mungesa e tij në ceremonitë publike ka shtuar spekulimet mbi gjendjen shëndetësore dhe aftësinë për të udhëhequr vendin.

Ndërkohë, në Teheran janë vendosur masa të rrepta sigurie për zhvillimin e funeralit. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se Irani do t’i përgjigjet menjëherë çdo kërcënimi ndaj udhëheqjes së vendit, pasi ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, kishte deklaruar më herët se udhëheqësi iranian ishte “shënuar për vdekje”. Autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar ende nëse Mojtaba Khamenei do të marrë pjesë në ceremoninë qendrore të funeralit, duke theksuar se vendimi i përket zyrës së Udhëheqësit Suprem. /rtsh/

Share This