Haradinaj akuzon qeverinë për “harresë të qëllimshme” ndaj luftëtarëve të UÇK-së

Haradinaj akuzon qeverinë për “harresë të qëllimshme” ndaj luftëtarëve të UÇK-së

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër sot duke akuzuar qeverinë se po mundohet t’i zbehë meritat dhe kontributin e luftëtarëve të UÇK-së.

Në një postim publik, ai thotë se pushteti aktual po i largon qëllimisht luftëtarët nga kujtesa kolektive e shoqërisë.

Sipas Haradinajt, kjo qeveri ka kaluar nga injorimi në ofendime të drejtpërdrejta, madje edhe për veshjen e veteranëve në përvjetore e tubime përkujtimore.

Ai shkon më tej, duke e akuzuar pushtetin për “orkestrim dokumentesh e procesesh gjyqësore” me qëllim dobësimin e figurës së luftëtarit të UÇK-së.

Megjithatë, Haradinaj thekson se “struktura shpirtërore dhe mendore e luftëtarit mbetet e paprekshme”, duke i cilësuar plagët e tyre si medalje nderi.

“Luftëtarët nuk kanë frikë nga stuhitë, sepse stuhitë e kanë frikë vendosmërinë e tyre”, ka shkruar ai.

Ai u referohet luftëtarëve si njerëz që kanë parë nga afër vijën mes jetës dhe vdekjes, të cilët po shuhen natyrshëm, me një peng të vetëm: që nuk e patën fatin e dëshmorëve. Haradinaj shton se të mbeturit gjallë do të vazhdojnë të qëndrojnë bashkë, më të fortë se çdo propagandë.

“Lumët ju për kontributin dhe sakrificën. Mjerë ata që do të humbin gjithmonë me turp”, përfundon Haradinaj, duke dhënë nderime për atdheun.

Share This