
Hamza viziton bizneset në Gjakovë: Do ta ndryshojmë ligjin për tatimin në pronë dhe do ta ulim çmimin e energjisë elektrike
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar disa biznese në qytetin e Gjakovës, ku është takuar me përfaqësues të sektorit privat dhe punëtorë.
Gjatë vizitës në kompanitë Heinze, Geli Fruits, G4SHI dhe Nertili, Hamza ka shprehur mbështetjen e tij për bizneset vendore, duke theksuar se ato janë shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik dhe punësimit në vend.
“Si kryeministër, do të jem partner dhe aleat i fuqishëm i sektorit privat, përmes investimeve, granteve dhe mbështetjes institucionale, në mënyrë që bizneset të përmirësojnë kushtet e punës dhe të rrisin pagat për punëtorët e sektorit privat,” ka deklaruar Hamza.
Ai ka bërë edhe zotime konkrete në favor të bizneseve dhe qytetarëve. Hamza ka paralajmëruar ndryshimin e ligjit për rritjen e tatimit në pronë për objektet afariste, të miratuar nga qeveria aktuale.
“Ligjin për rritjen e tatimit në pronë do ta ndryshojmë, në mënyrë që barra financiare të mos rëndojë mbi bizneset,” ka theksuar ai.
Po ashtu, kandidati për kryeministër ka njoftuar se qeveria e tij synon heqjen e TVSH-së për energjinë elektrike, me qëllim të uljes së faturave për qytetarët dhe bizneset.
“Do ta heqim TVSH-në për energjinë elektrike, që qytetarët dhe bizneset të paguajnë fatura më të ulëta,” ka shtuar Hamza.
Kryetari i PDK-së ka bërë të ditur se ka nisur një tur nëpër qytetet e Kosovës, ku po takohet drejtpërdrejt me qytetarë dhe përfaqësues të bizneseve, për të prezantuar programin e tij për punësim, mirëqenie dhe zhvillim ekonomik.

