Europa kërkon pavarësi në hapësirë, Macron dhe von der Leyen, thirrje për forcimin e industrisë

Europa kërkon pavarësi në hapësirë, Macron dhe von der Leyen, thirrje për forcimin e industrisë

Europa duhet të forcojë industrinë e saj hapësinore dhe të ulë varësinë nga fuqitë e tjera, ishte mesazhi i presidentit francez Emmanuel Macron dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Thirrja u bë në samitin ndërkombëtar për hapësirën që po zhvillohet në Paris, i bashkë organizuar nga Franca dhe Gjermania.

Macron e cilësoi sektorin hapësinor evropian si “të brishtë” dhe kërkoi një qasje të përbashkët për forcimin e tij.

“Qeverisja e përbashkët është e nevojshme për t’iu përgjigjur këtyre sfidave”, deklaroi presidenti francez, duke kërkuar rregulla më të qarta për aktivitetet në hapësirë.

Macron bëri të ditur gjithashtu se gjatë samitit pritet të nënshkruhen më shumë se 51 marrëveshje, me investime që arrijnë në rreth 20 miliardë euro. Von der Leyen theksoi se hapësira është tashmë një element i rëndësishëm jo vetëm për kërkimin shkencor, por edhe për sigurinë dhe pavarësinë e Evropës. Ajo iu referua veçanërisht luftës në Ukrainë, ku teknologjia hapësinore po luan një rol të rëndësishëm në fushën ushtarake.

“Komunikimet satelitore i mbajnë ushtarët të informuar gjithë kohës, ndërsa imazhet satelitore zbulojnë lëvizje qindra kilometra larg”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian. Lufta në Ukrainë ka shtuar përpjekjet e vendeve evropiane për të zhvilluar kapacitete të tyre hapësinore dhe ushtarake, ndërsa kontinenti kërkon të zvogëlojë varësinë e gjatë nga Shtetet e Bashkuara. Synimi është që Evropa të ketë më shumë kontroll mbi teknologjitë dhe shërbimet hapësinore, të cilat po marrin një rol gjithnjë e më të madh në sigurinë dhe ekonominë globale. /rtsh/

Share This