
Gashi: Autoriteti i institucioneve të Kosovës në veri është zgjeruar, por Kurti bëri marrëveshje me Vuçiqin përtej atyre që i bënë Thaçi e Mustafa
Ish-deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka komentuar në detaje situatën në veri të vendit, duke përshkruar zhvillimet ndër vite nën qeveritë e ndryshme të Kosovës.
Në një shkrim të gjatë, ai ka rikujtuar marrëveshjet dhe veprimet kryesore të qeverive të Thaçit, Mustafës, Haradinajt dhe së fundi të Albin Kurtit.
Gashi ka përmendur marrëveshjet për pikat kufitare gjatë qeverisjes së Hashim Thaçit, marrëveshjet për Asociacionin të arritura nga Thaçi dhe Isa Mustafa, si dhe rastin e arrestimit të Marko Gjuriqit gjatë qeverisë Haradinaj.
Duke folur për qeverinë aktuale, Gashi ka theksuar se autoriteti i institucioneve të Kosovës në veri është zgjeruar ndjeshëm. Sipas tij, pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku dhe çmontimit të strukturave kriminale të lidhura me Serbinë e Listën Serbe, sot në veri “ka më shumë shtet të Kosovës se kurrë më parë”.
Megjithatë, ai ka shtuar se krahas këtyre zhvillimeve pozitive, Qeveria Kurti ka nënshkruar edhe Marrëveshjen e Parimeve Kurti–Vuçiq, e cila në nenin 7 parasheh “vetëmenaxhim për komunat me shumicë serbe sipas praktikave evropiane”, si dhe ka pranuar marrëveshjen e sekuencimit në Ohër.
“Të dyja rrisin peshën juridike të konceptit të vetëmenaxhimit, më shumë se marrëveshjet Thaçi–Daçiç dhe Mustafa–Vuçiq”, ka shkruar Gashi.


