
Haradinaj: 28 dhjetori është dita e vendimeve të guximshme, Koha e fjalëve ka kaluar
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dërguar një mesazh të fuqishëm për qytetarët e Kosovës, duke theksuar se zgjedhjet e 28 dhjetorit përbëjnë një moment vendimtar për të ardhmen e vendit. Ai ka theksuar se Kosova ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm dhe kërkon vendime të guximshme.
“Koha e fjalëve ka kaluar. Tani është koha e vendimeve të mëdha,” tha Haradinaj, duke theksuar se secili qytetar ka përgjegjësi të mbrojë të ardhmen e vendit “jo me fjalë të thata, por me votë të pastër e me qëndrim të fortë”.
Sipas tij, 28 dhjetori është dita kur qytetarët vendosin, ndërsa roli i secilës shtresë të shoqërisë është i rëndësishëm:
“Kur voton ushtari, shtetit i kthehet nderi. Kur voton polici, familjet marrin siguri. Kur voton populli, fitojnë gjeneratat.”
Haradinaj tha se fokusi i AAK-së është rikthimi i besimit te shteti përmes një qeverisjeje që punon për qytetarët dhe jo për propagandë. Ai premtoi një fushatë pranë qytetarëve “në çdo fshat, lagje e familje që e ka mbajtur Kosovën gjallë në ditët më të vështira”.
Në mesazhin e tij, Haradinaj u drejtua edhe mërgatës, të cilën e quajti “zemra e Kosovës në botë”, duke theksuar se vota e tyre është vendimtare për rikthimin e shpresës.
Ai ritheksoi edhe një herë besnikërinë ndaj aleatëve ndërkombëtarë, duke thënë se pa ta “s’ka shtet të sigurt”.
Në fund, lideri i AAK-së bëri thirrje për mobilizim të përgjithshëm më 28 dhjetor:
“Populli do të flasë fort. E do të flasë drejt.”


