
Fernandes nuk mund të konsiderohet legjendë e Man Unitedit, thotë Shearer
Ish-sulmuesi i njohur anglez, Alan Shearer, ka vlerësuar paraqitjet e Bruno Fernandes, por ka theksuar se mesfushori portugez nuk mund të renditet mes legjendave të Manchester Unitedit.
Fernandes ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të “Djajve të Kuq” në vitet e fundit, duke kontribuar në fitimin e FA Cup dhe EFL Cup, si dhe në arritjen e finaleve të UEFA Europa League në vitet 2021 dhe 2025.
Megjithatë, sipas Shearer, mungesa e trofeve të mëdha mbetet pengesa kryesore për ta konsideruar atë një nga më të mëdhenjtë e klubit.
“Është e qartë se United nuk do të ishte aty ku është pa Fernandes. Ai ka spikatur në një skuadër që ka kaluar periudha të vështira. Por në fund, ajo që të përcakton janë trofetë që ke fituar,” ka deklaruar Shearer.
Ai bëri edhe krahasime me figura historike të klubit si Roy Keane, Paul Scholes dhe David Beckham, të cilët kanë fituar trofe të shumtë, përfshirë edhe “tripletën”.
“Kur e krahason me lojtarë si Keane, Scholes apo Beckham, që kanë fituar gjithçka, është e vështirë ta quash një nga më të mëdhenjtë. Dhe kjo nuk është faji i tij,” shtoi ai.
Pavarësisht kritikave, Fernandes po zhvillon një sezon të shkëlqyer, me 8 gola dhe 20 asistime në 34 paraqitje në kampionat, duke qenë lojtari më ndikues i skuadrës.
Ai gjithashtu është pranë rekordit të asistimeve në Premier League për një sezon, por edhe nëse e arrin këtë sukses, Shearer mbetet i bindur se mungesa e trofeve do të ndikojë në vlerësimin e tij historik në klub.

