Enver Hoxhaj: Kurti ka pranuar tri dokumente që e kanë dëmtuar fuqishëm pozitën ndërkombëtare të Kosovës

Enver Hoxhaj: Kurti ka pranuar tri dokumente që e kanë dëmtuar fuqishëm pozitën ndërkombëtare të Kosovës

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se ka pranuar tri dokumente në kuadër të dialogut me Serbinë, të cilat sipas tij e kanë dëmtuar rëndë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Në një video të publikuar në profilin e tij në Facebook, Hoxhaj thotë se procesi i dialogut nën Qeverinë Kurti ka sjellë një praktikë të pazakontë, ku sipas tij janë pranuar dokumente pa u ditur autorët dhe pa pasur pronësi institucionale nga pala kosovare.

“Ne kemi pasur procese politike në këtë vend, ku e dimë kush e ka shkruar Rambujenë, kush e ka shkruar Ahtisarin, kush e ka shkruar marrëveshjen e Prillit. Por opinioni publik nuk e di emrin e dy-tre ekspertëve që e kanë draftuar marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. A e ka shkruar Friedrich-Ebert-Stiftung apo dikush tjetër? Cila ka qenë ekipa që e ka shkruar?”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ai shtoi se Marrëveshja e Brukselit, Aneksi i Ohrit dhe drafti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe sipas tij kanë cenuar rëndë interesat e Kosovës.

“Folët për tri dokumente të cilat në thelb e kanë dëmtuar fuqishëm pozitën ndërkombëtare të Kosovës”, theksoi Hoxhaj, duke shtuar se një gjë e tillë nuk ka ndodhur as gjatë luftës, as gjatë okupimit, as gjatë administrimit ndërkombëtar, e as pas shpalljes së pavarësisë.

“Nuk ka ndodhur kurrë që shteti i Kosovës, qeveria e Kosovës dhe klasa politike të pranojë një dokument pa e ditur kush është autori, pa pasur rol dhe pa pasur pronësi”, përfundoi ai.

Share This