
Zelensky telefonatë me presidentin e KiE-së: Presim që të vazhdojnë negociatat, t’i jepet fund luftës dhe të arrijmë paqen
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur këtë mbrëmje se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Këshillit Evropian António Costa, gjatë së cilës palët shkëmbyen informacione të hollësishme për kontaktet e Ukrainës me partnerët dhe diskutuan hapat e ardhshëm me Shtetet e Bashkuara.
“Në bisedën me presidentin e Këshillit Evropian António Costa shkëmbyem informacione për kontaktet tona me partnerët. Diskutuam edhe pistën e negociatave: ekipi ukrainas ka takime të planifikuara me palën amerikane. Presim që puna të vazhdojë po aq konkretisht për t’i dhënë fund kësaj lufte me një paqe të besueshme dhe dinjitoze. U dakorduam të vazhdojmë koordinimin tonë,” shkroi Zelensky në platformën “X”.
Më herët të mërkurën, presidenti ukrainas njoftoi se po përgatiten takime në Shtetet e Bashkuara dhe se Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes Rustem Umerov dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Andriy Hnatov do të vazhdojnë bisedimet me përfaqësuesit e Presidentit amerikan Donald Trump.
“Lajme për takime, kontakte dhe negociata të tilla – qofshin takime personale apo biseda telefonike – priten në ditët në vijim. Ka kontakt të vazhdueshëm mes të gjithë partnerëve dhe mes partnerëve me Ukrainën,” theksoi Zelensky.
“Gjithçka tani po ecën mjaft efektivisht – në takimet në Gjenevë dhe Florida, Ukraina u dëgjua dhe Ukraina u mor seriozisht. Dhe kjo ka rëndësi. Presim që kjo të vazhdojë pikërisht kështu. Paqja dinjitoze është e mundur vetëm nëse interesat e Ukrainës merren parasysh,” përfundoi presidenti ukrainas. /rtsh/


