
Chivu para duelit me Bologna-n: Një nga sfidat më të vështira të sezonit
Interi do të përballet nesër me Bologna-n në “San Siro”, në një ndeshje që pritet të jetë ndër më të vështirat e sezonit.
Statistikat e fundit nuk janë në favor të zikaltërve, pasi në shtatë ndeshjet e fundit kundër Bologna-s, në të gjitha garat, Interi ka regjistruar vetëm një fitore dhe katër humbje, përfshirë atë në Superkupën e Italisë.
Në konferencën për media para ndeshjes, trajneri i Interit, Cristian Chivu, e pranoi vështirësinë e përballjes.
“Ata kanë një identitet të qartë, krijojnë probleme për këdo duke mbushur zonën e penalltisë me sulmues dhe mesfushorë ofensivë. Janë një kundërshtar i vështirë”, tha ai.
Edhe pse nuk pritej rotacion i madh për shkak të cilësisë së kundërshtarit, Chivu la të hapur mundësinë e ndryshimeve në formacion.
“Kemi 25 lojtarë të gatshëm për të luajtur. Duhet të ruajmë rezultatet edhe përmes rotacionit, sepse nuk është e lehtë të luash çdo tri ditë”, theksoi Chivu.
I pyetur për polemikat e fundit që përfshijnë Antonio Conten, trajneri rumun u shpreh qartë.
“Mënyra se si e shoh unë futbollin, polemikat nuk më interesojnë. Ato ndikojnë vetëm në media dhe nuk kanë lidhje me sportin. Futbolli mbetet sport, le të shmangim kritikat dhe debatet e panevojshme”, pohoi ai.
Sa i përket garës për titull, Chivu theksoi balancën e madhe në krye të renditjes.
“Renditja tregon se janë pesë ekipe me diferenca të vogla pikësh. Të gjitha kanë shanse. Brenda një muaji situata mund të ndryshojë”, përfundoi Chivu.


