
Hykmete Bajrami pas Kuvendit të LDK-së: Ishim 152 delegatë që besuam se partisë i duhet ndryshimi, por fitoi demokracia
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas përfundimit të Kuvendit të partisë, duke theksuar se ishte në mesin e 152 delegatëve që mbështetën ndryshimin në parti, por se shumica e delegatëve vendosën ndryshe, shkruan Rekordi.net.
Përmes një postimi publik, Bajrami tha se 170 delegatë shprehën një qëndrim tjetër, duke theksuar se në një parti demokratike vendimi i shumicës duhet respektuar.
“Po, unë isha në mesin e 152 delegatëve që besuam se LDK-së i duhet ndryshimi, por ishin 170 të tjerë, të cilët mbrëmë patën mendim ndryshe. Në shtëpinë e demokracisë, gjithmonë fiton demokracia. Urime, LDK!”, ka shkruar Bajrami.
Deklarata e saj vjen pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kuvendin e LDK-së, ku delegatët vendosën për drejtimin e ardhshëm të partisë.
Reagimi i Bajramit është parë si një mesazh për respektimin e vullnetit të shumicës dhe unitetin brenda LDK-së, pavarësisht dallimeve që u shfaqën gjatë garës së brendshme. /Rekordi.net

