Alonso: Dhemb humbja ndaj Atletico, por tash na pret Kairat Almaty

Alonso: Dhemb humbja ndaj Atletico, por tash na pret Kairat Almaty

Trajneri i Real Madrid, Xabi Alonso, ka kërkuar nga skuadra e tij të lë pas humbjen 5-2 ndaj Atletico Madrid në La Liga dhe të përqendrohet plotësisht në Champions League.

Të martën, madrilenët do të udhëtojnë në Kazakistan për t’u përballur me debutuesit e garës, Kairat Almaty.

Në konferencën për shtyp, të mbajtur në qytetin Almaty, Alonso ka thënë se nga disfata ndaj rivalit lokal duhet nxjerrë mësime, por ka theksuar se skuadra duhet të ecë përpara.

“Qoftë në fitore apo humbje, ndjenjat duhet të zgjasin vetëm njëzet e katër orë. Pastaj vjen analiza. Nuk ishte vetëm çështje qëndrimi, por edhe ritmi, taktika: elemente të lojës. Analizën e kemi bërë dhe do ta përdorim”, ka thënë ai.

Sipas tij, skuadra është ende në proces ndërtimi dhe se huumbja ndaj Atletico duhet parë si pjesë e rrugëtimit.
“Ndonjëherë, për të bërë një hap para, duhet të bësh dy pas. Na ka dhembur, por tashmë jemi në formatin e Champions League”, ka thënë ai.

Tekniku spanjoll e ka konsideruar jetike marrjen e pikëve jashtë fushe, pavarësisht kundërshtarit apo distancës së gjatë të udhëtimit.
“Ndeshja është thjesht një tjetër ndeshje. Nuk ka justifikime. Ne duam të fitojmë kudo që luajmë”, ka thënë Alonso.

Sipas tij, nga Kazakistani duhet dalur me fitore dhe ai është optimist.
“Personi më i zgjuar është ai që përshtatet më mirë. Është e rëndësishme të fillojmë mirë dhe duam të marrim pikë jashtë fushe”, ka thënë trajneri spanjoll.

Share This