
AUV zbulon shkelje në fabrikën `Vita`, priten rezultatet laboratorike
Në një konferencë për media zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë bërë të ditur se komisioni inspektues ka konstatuar se fabrika për përpunimin e qumështit “Vita” në Istog ka shkelur vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, i cili ndalon përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në produktet e qumështit.
Zyrtarët e AUV-së thanë se rezultatet përfundimtare priten pas analizave laboratorike.
Shefi i Inspektoratit Veterinar Kufitar, Eroll Shehu, ka theksuar se procesi i kontrollit ka qenë transparent, duke shtuar se gjatë gjithë kohës inspektorët kanë qenë nën monitorim dhe aktualisht po priten rezultatet nga analizat laboratorike.
Inspektimi, sipas tij, është bërë me kërkesën e vendimit të ministrit, i cili është zbatuar gjatë ditës, domethënë gjatë orarit. “Sa i përket ciklit të inspektimit, inspektimi ka shkuar gjithmonë shumë transparent”
Sipas Shehut, inspektimi është kryer brenda orarit zyrtar dhe në përputhje me procedurat ligjore, ndërsa rezultatet përfundimtare do të përcaktojnë hapat e mëtejmë institucionalë.
Në anën tjetër, udhëheqësi i Zyrës së AUV-së në Prizren, Durak Zyrapi, ka bërë të ditur se bazuar në gjetjet fillestare të inspektorëve në terren, komisioni ka konstatuar shkelje të vendimit të ministrit, i cili ndalon përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë të ngjashëm në fabrikat e përpunimit të qumështit.
“Ne si komision kemi konstatuar, në bazë të gjetjeve të inspektorëve që kanë qenë në terren, se subjekti në fjalë ka thyer vendimin e ministrit, ku ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe gjërave të tjera në fabrikat e përpunimit të qumështit. Ky ka qenë konstatimi fillestar i komisionit”, tha ai.
Zyrapi gjithashtu ka hedhur poshtë raportimet se të gjithë anëtarët e komisionit kanë marrë pjesë në inspektim, duke sqaruar se një pjesë e zyrtarëve, përfshirë edhe vetë atë, nuk kanë qenë brenda objektit gjatë kontrollit, por janë informuar më pas për gjetjet nga ekipet kompetente në terren. /rtk/

