Ademi në festën e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së: Amerika mbetet aleatja e pazëvendësueshme e Kosovës

Ademi në festën e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së: Amerika mbetet aleatja e pazëvendësueshme e Kosovës

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, me rastin e shënimit të 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së.

Në këtë ngjarje, presidenti Ademi ishte i shoqëruar nga nënkryetari i FFK-së, Bakir Burri, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Samir Ujkani, përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, drejtori i Kombëtares, Muharrem Sahiti, si dhe menaxheri i Kombëtares, Bajram Shala.

Me këtë rast, Ademi theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës ndër vite.
Sipas tij, sporti, e në veçanti futbolli, mbetet një urë e fuqishme që afron popujt dhe forcon miqësinë ndërmjet vendeve.

Presidenti i FFK-së e cilësoi simbolik faktin që Shtetet e Bashkuara po e shënojnë këtë jubile në një periudhë kur janë njëra nga nikoqiret e Kupës së Botës FIFA 2026, duke theksuar se kjo ngjarje dëshmon fuqinë e futbollit për të bashkuar kombe, kultura dhe miliona tifozë në mbarë botën.

Në fund, Ademi uroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 250-vjetorin e Pavarësisë, shprehu mirënjohje ndaj Ambasadës Amerikane për ftesën dhe mikpritjen, si dhe falënderoi popullin amerikan për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës përgjatë dekadave.

Postimi i Ademit:

Sonte pata kënaqësinë të marr pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, me rastin e shënimit të 250-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së SHBA-së.

Në këtë ngjarje të veçantë isha i shoqëruar nga nënkryetari Bakir Burri, anëtari i KE të FFK-së, Samir Ujkani, trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, drejtori i Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe menaxheri i Kombëtares, Bajram Shala.

Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajnë një miqësi të veçantë dhe një partneritet të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, besim dhe mbështetje të vazhdueshme. Për ne, SHBA-ja mbetet një aleate e pazëvendësueshme dhe një mike e madhe e popullit të Kosovës.

Sporti, e veçanërisht futbolli, mbetet një urë që afron njerëzit dhe forcon edhe më tej këto lidhje.

Është simbolike që këtë përvjetor jubilar Amerika po e shënon në një periudhë kur është në qendër të vëmendjes së botës si njëra nga nikoqiret e Kupës së Botës 2026, një ngjarje që dëshmon edhe një herë fuqinë e futbollit për të bashkuar kombe, kultura dhe miliona tifozë anembanë globit.

Urime Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtë përvjetor të rëndësishëm. Mirënjohje për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë Ambasadës Amerikane dhe, mbi të gjitha, falënderime popullit amerikanë për mbështetjen e palëkundur që i kanë dhënë Kosovës ndër dekada.

🇺🇸⚽️🇽🇰

Share This