
Ylli i PSG-së, Desire Doue: Jam më i mirë se Lamine Yamal
Sulmuesi i ri i Paris Saint-Germain, Desire Doue, ka ndezur debatet në rrjetet sociale pas një deklarate të guximshme ku u shpreh se është më i mirë se supertalenti i Barcelonës, Lamine Yamal.
19-vjeçari francez, i cili iu bashkua PSG-së në verën e vitit 2024 nga Rennes, ka pasur një sezon debutues spektakolar me kampionët e Francës, duke shënuar 16 gola dhe dhuruar 16 asiste në 61 ndeshje, teksa ndihmoi skuadrën të fitojë një tripletë historike.
Në një video që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale, Doue u pyet se kush është më i mirë mes tij dhe Lamine Yamal, 17-vjeçarit të Barcelonës, i konsideruar si një nga talentet më të mëdhenj në botë.
Me vetëbesim të lartë dhe buzëqeshje, përgjigjja e tij ishte e qartë: “Unë.”
Deklarata e tij ka shkaktuar reagime të shumta, me tifozët e të dy lojtarëve që ndajnë mendime të ndryshme.
Megjithatë, performancat e të dyve dëshmojnë se futbolli evropian po shijon një brez të ri yjesh të jashtëzakonshëm në skenën elitare. /Rekordi.net


