
Rusia godet Ukrainën me dronë dhe raketa pas miratimit të rezolutës nga OKB-ja
Rusia sulmoi Ukrainën gjatë natës me dronë dhe raketa, një ditë pasi OKB-ja miratoi rezolutën për Ukrainën – të propozuar nga SHBA-ja.
“Raketat u lëshuan nga katër bombardues strategjikë “Tupolev Tu-95″ mbi rajonin rus të Vollgës afër Engelsit”, sipas forcave ajrore ukrainase.
Kievi ndryshoi mesazhet e tij paralajmëruese për popullatën çdo disa minuta gjatë natës, pasi raketat ndryshonin drejtim disa herë mbi Ukrainë, e ngjashme me dronët luftarakë.
Ende nuk është dhënë një informacion mbi goditjet e raketave. Disa ndërtesa u dëmtuan nga dronët pranë qyteteve Obukhiv dhe Fastiv, në jug të Kievit.
Dëme të rënda u shkaktuan nga dronët dhe zjarri i artilerisë në rajonin verilindor të Sumy – ku u vra një civil.
Lufta ruse kundër Ukrainës tashmë ka hyrë në vitin e saj të katërt. Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi dje në favor të një rezolute të qeverisë amerikane për Ukrainën që kërkonte një fund të shpejtë të luftës, por nuk e emërtonte Rusinë si agresore.
Britania e Madhe dhe Franca të alarmuara nga afrimiteti i SHBA-së me Rusinë – pas kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë – abstenuan në votim. /atsh/