
Vendet e G7-tës bien dakord që kompanitë amerikane të shmangen pjesërisht nga marrëveshja globale për taksat
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe grupi i shtatë vendeve më të industrializuara të botës, të njohura si G7 – SHBA, Japonia, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Kanadaja – dolën të shtunën me një deklaratë të përbashkët, duke njoftuar se kompanitë amerikane nuk do të preken më tërësisht nga një marrëveshje globale ekzistuese për taksat.
Vendimi erdhi pas propozimit të SHBA-së për të mbrojtur kompanitë amerikane nga barra fiskale ndërkombëtare të mëtejshme, duke qenë se ato paguajnë taksa të ngjashme sipas ligjeve kombëtare.
Më herët, ligjvënësit amerikanë vendosën të tërhiqen nga një propozim i presidentit Donald Trump, i njohur si Seksioni 899 dhe pjesë e ligjit federal të taksave dhe shpenzimeve, që synonte të “hakmerrej” ndaj shteteve që taksonin “në mënyrë diskriminuese dhe të padrejtë” kompanitë amerikane, duke u rritur deri në 20 për qind taksat individëve dhe korporatave që operonin në SHBA, por duke e pasur origjinën nga këto shtete.
Vendimi i G7-tës, i shpallur nga Kanadaja, e cila ka presidencën e radhës, theksoi se marrëveshja e arritur do të sjellë më shumë stabilitet në sistemin ndërkombëtar të taksimit. Edhe Mbretëria e Bashkuar njoftoi se bizneset britanike do të përfitojnë nga marrëveshja në të njëjtën mënyrë si simotrat amerikane.
“Marrëveshja e sotme u jep sigurinë dhe stabilitetin e nevojshëm bizneseve që e kishin ngritur këtë shqetësim,” tha ministrja britanike e Financës, Rachel Reeves, duke shtuar se do të nevojitet akoma punë për të adresuar evazionin fiskal.
Zyrtarët e G7-tës kanë thënë se janë duke diskutuar për një zgjidhje që “të pranohet dhe zbatohet nga të gjithë”.
Në janar, kur sapo erdhi në pushtet, presidenti Trump deklaroi se SHBA-ja nuk duhej të prekej nga marrëveshja globale për një taksë minimale 15% e arritur në vitin 2021 nga administrata Biden me OECD-në dhe gati 140 shtete të botës. Sipas republikanëve atëkohë, marrëveshja ishte e padrejtë, sepse vendi hiqte dorë nga autoriteti për të vendosur taksat. /Reuters


