
Von der Leyen: Zgjerimi është domosdoshmëri strategjike për Evropën
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një domosdoshmëri strategjike për Evropën, pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel.
Në deklaratën e saj pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, von der Leyen ka thënë se procesi i zgjerimit po shënon përparim dhe se këtë vit pritet të hapen dhe të mbyllen mbi 100 kapituj negociues.
“Jam e bindur se zgjerimi është një domosdoshmëri strategjike për Evropën. Sot, ky momentum është real. Jemi në rrugën e duhur për të hapur dhe mbyllur mbi 100 kapituj këtë vit. Ky është një përparim i jashtëzakonshëm dhe vjen në një moment vendimtar”, ka deklaruar ajo.
Von der Leyen ka vlerësuar përparimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE.
“Mali i Zi po i afrohet fundit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Shqipëria po ecën drejt këtij synimi me një ritëm mbresëlënës”, ka thënë ajo.
Ajo ka theksuar se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të presin anëtarësimin për t’i afruar ekonomitë dhe qytetarët e tyre me Bashkimin Evropian, duke përmendur Planin e Rritjes dhe integrimin gradual në tregun e përbashkët.
Duke folur për përfitimet konkrete për qytetarët, von der Leyen ka përmendur përfshirjen e katër partnerëve të Ballkanit Perëndimor në SEPA, si dhe negociatat për iniciativën “Roam Like at Home”, të cilat nisën muajin e kaluar me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.
“Këto janë përfitime konkrete për qytetarët edhe para anëtarësimit. Dhe dëshirojmë të shkojmë edhe më tej. Në fillim të vitit të ardhshëm, do të nisim dialogë për integrim gradual me secilin partner”, ka deklaruar ajo, raporton rtk.
Presidentja e Komisionit Evropian ka bërë të ditur se zbatimi i Planit të Rritjes ka shënuar përparim, duke theksuar se përmbushja e hapave të reformave ka arritur në 63 për qind, nga 38 për qind sa ishte një vit më parë.
Sipas saj, reformat mund të mundësojnë ndarjen e 338 milionë eurove të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në javët në vijim.
Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke përmendur rritjen e tregtisë brenda rajonit, njohjen e kualifikimeve përtej kufijve dhe lehtësimin e komunikimit përmes roaming-ut rajonal.
“Ballkani Perëndimor duhet të afrohet edhe më shumë mes vete. Tregtia brenda rajonit është rritur ndjeshëm. Kualifikimet po njihen gjithnjë e më shumë përtej kufijve, roaming-u rajonal po ua lehtëson njerëzve komunikimin, ndërsa Korridoret e Gjelbra po e bëjnë tregtinë më të shpejtë”, ka thënë von der Leyen.
Në fund, ajo ka thënë se suksesi i zgjerimit do të matet me ndryshimet që sjell në jetën e qytetarëve, duke theksuar se Bashkimi Evropian është i gatshëm të kontribuojë në këtë proces.
“Bashkimi Evropian është i gatshëm të bëjë pjesën e tij. Dhe jam e bindur se së bashku mund ta shndërrojmë momentumin e sotëm në përparim të qëndrueshëm”, ka deklaruar ajo.

