“Hajde Folim” shtrihet në gjithë Kosovën, Abdixhiku: Dhuna nuk është ofertë politike

“Hajde Folim” shtrihet në gjithë Kosovën, Abdixhiku: Dhuna nuk është ofertë politike

Platforma “Hajde Folim”, e cila po organizohet në disa qytete të Kosovës nga kandidatja për presidente Vjosa Osmani dhe kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku, ka vazhduar aktivitetet e saj edhe në Lipjan.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale nga takimi, Abdixhiku ka theksuar se mesazhi i platformës është përballja e ideve dhe jo e tensioneve politike.

“HAJDE FOLIM për ata që dhunën e jo idetë e kanë ofertë në vitin 2026”, ka deklaruar Abdixhiku, duke iu referuar klimës politike dhe mënyrës së komunikimit në hapësirën publike.

Ai ka shtuar se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj dialogut me qytetarët, duke synuar ndërtimin e një vizioni politik që, sipas tij, ofron përfaqësim dhe rrugëtim të qartë për të ardhmen e vendit.

“LDK është e interesuar të flasë me qytetarët tanë, të ofrojë vizion dhe një ide rreth së cilës qytetarët e Kosovës ndihen të përfaqësuar”, është shprehur Abdixhiku.

Share This