Maliqi: Prishtina ka nevojë për polici komunale, jo vetëm debat për xhandarmëri

Maliqi: Prishtina ka nevojë për polici komunale, jo vetëm debat për xhandarmëri

Qeveria po premton në kontekst elektoral krijimin e një xhandarmërie për ruajtjen e kufirit Kosovë–Serbi, një propozim që ka nxitur debat në opinionin publik dhe në mesin e analistëve të sigurisë.

Opinionisti Agon Maliqi ka theksuar se çështje të tilla duhet të trajtohen nga ekspertët e sigurisë dhe jo vetëm në kuadër të diskutimeve politike.

“Ndoshta Kosova edhe ka nevojë për xhandarmëri, por këtë e vlerësojnë më mirë ekspertët e sigurisë”, ka thënë Maliqi, duke shtuar se fokusi duhet të jetë edhe te problemet konkrete të qeverisjes lokale.

Ai ka vënë theks të veçantë te Prishtina, duke thënë se kryeqyteti ka nevojë për funksionalizimin e policisë komunale.

“Çdo qytetar i Prishtinës e di se kryeqyteti ka nevojë për polici komunale që merret me shkeljet e rregulloreve lokale si trafiku, zhurma, ndërtimet, uzurpimi i hapësirave publike dhe ndotja”, ka deklaruar ai.

Maliqi ka rikujtuar se Ligji për Kryeqytetin, i miratuar në vitin 2018, e parasheh krijimin e kësaj strukture, por sipas tij Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk ka nxjerrë udhëzimin administrativ për ta funksionalizuar atë.

Share This