
Man United mposht Nottingham-in, siguron Champions-in
Manchester United vulosi përfundimisht vendin e tretë në Premier League pas një fitore dramatike 3-2 ndaj Nottingham Forest në “Old Trafford”, duke i dhënë fund serisë prej katër përballjesh pa fitore ndaj Forest në kampionat.
Me kualifikimin në Ligën e Kampionëve tashmë të siguruar, vëmendja kryesore ishte për lamtumirën e Casemiro në ndeshjen e tij të fundit në “Old Trafford”.
Megjithatë, vendasit e nisën furishëm takimin dhe kaluan në epërsi që në minutën e pestë. Pas një topi të larguar pjesërisht nga mbrojtja mysafire, Luke Shaw realizoi me një gjysmë-volé të saktë për 1-0, duke shënuar golin e tij të parë që nga janari i vitit 2023.
Forest reagoi shpejt dhe ishte pranë barazimit në mesin e pjesës së parë, por portieri Senne Lammens bëri një pritje vendimtare ndaj Morgan Gibbs-White.
Nga ana tjetër, Bryan Mbeumo ishte shumë afër golit, por tentativa e tij përfundoi në shtyllë, ndërsa më pas Casemiro humbi ngushtë objektivin me një goditje me volej.
Forest riktheu baraspeshën në fillim të pjesës së dytë, kur Morato realizoi me kokë pas asistimit të Elliot Anderson nga një goditje këndi.
Megjithatë, reagimi i United ishte i menjëhershëm. Matheus Cunha riktheu epërsinë për vendasit pas një aksioni të diskutueshëm, ku Mbeumo dyshohej se kishte kontrolluar topin me dorë. Pas konsultimit me VAR-in, arbitri John Brooks vendosi të mos e anulonte golin, duke shkaktuar pakënaqësi te mysafirët.
Më pas erdhi edhe momenti historik për Bruno Fernandes. Mesfushori portugez asistoi për golin e tretë të United, të realizuar nga Mbeumo, duke regjistruar asistimin e tij të 20-të në sezon dhe duke hyrë në histori të Premier League krahas Thierry Henry dhe Kevin De Bruyne si lojtarët e vetëm që kanë arritur këtë shifër në një edicion të vetëm.
Forest nuk u dorëzua dhe ngushtoi rezultatin me një gol të bukur të Gibbs-White, por nuk arriti të shmangte humbjen në një tjetër duel spektakolar 3-2 në “Old Trafford”.
Kjo fitore kompleton rikthimin mbresëlënës të United nën drejtimin e Michael Carrick, me “Djajtë e Kuq” që e mbyllin sezonin në pozitën e tretë, ndërsa Nottingham Forest mbetet i qetë në mesin e tabelës pasi e ka siguruar mbijetesën prej javësh.

