ZPS shpalos audio incizime, pretendojnë se Thaçi ndikoi te dëshmitarët

ZPS shpalos audio incizime, pretendojnë se Thaçi ndikoi te dëshmitarët

Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes prokurorit Joshua Hafetz, deklaroi se posedon dëshmi të shumta kundër Hashim Thaçit dhe katër të akuzuarve të tjerë.

Sipas Prokurorisë këto përfshijnë nëntë audio-incizime nga qendra e paraburgimit në Hagë, thirrje telefonike, urdhra gjyqësorë që pretendohet se janë shkelur dhe ekspertizë që, sipas tyre, dëshmon se dokumentet e gjetura në Kosovë ishin printuar nga printeri që përdorte Thaçi në Hagë.

Prokuroria gjatë seancës të së premtes shfaqi një audio-incizim, që thuhet se është nga takimi i Hashim Thaçit me Fadil Fazliun më 2 korrik 2023 në Hagë. Sipas ZPS-së, në këtë bisedë ata diskutonin për dëshminë e Rrustem Mustafës – Remit, ku Thaçi kërkoi që ai të dëshmonte shkurt. “Shkurt jo 12 orë, se 12 orë pa rrëshqit diku nuk e lë”, dëgjohet Thaçi, sipas Prokurorisë. Gjithashtu u paraqitën mesazhe të shkëmbyera mes Mustafës dhe Fazliut pas kthimit të këtij të fundit në Kosovë.

Sipas pretendimeve të ZPS-së, Fazliu kishte marrë udhëzime nga Thaçi për t’ia përcjellë Remit lidhur me mënyrën e dëshmimit në Hagë. Prokurori tha se gjatë vizitës së korrikut 2023, Thaçi e kishte cilësuar dëshminë e Remit si vendimtare dhe kishte dhënë udhëzime të hollësishme se çfarë duhej të thoshte ai.

Prokuroria pretendoi gjithashtu se gjatë vizitave në paraburgim, Isni Kilaj kishte marrë udhëzime se si dëshmitari 4, duhej ta ndryshonte dëshminë. Sipas prokurorit, Thaçi kishte nënvizuar pjesë konkrete të dëshmisë paraprake duke treguar saktësisht çfarë  duhej ndryshuar, ndërsa Kilaj kishte mbajtur shënime gjatë takimit.

ZPS pretendon se Thaçi ndikoi edhe te deklarimi i ish-shefit të Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi. Këtë, sipas audio incizimeve, ai e bëri gjatë dy vizitave në Hagë të Sami Smakajt, duke i treguar këtij të fundit çfarë duhej Zyrapi të ndryshonte. /rtk/

Share This