
Zgjedhja e Presidentit, Hamza: I takon Kurtit të gjejë të formulën për president, përgjegjësia i takon partisë së parë
Bedri Hamza, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, referuar çështjes së Presidentit të Kosovës që duhet të zgjidhet më së largu në prill, tha se i takon partisë së Albin Kurtit si forca më e madhe politike parlamentare “të gjejë formulën” se si zgjidhet presidenti i vendit.
Hamza iu referua praktikave të etabluara të së kaluarës se si është vepruar për zgjedhjen e presidentëve të vendit, ç’gjë duhet të ketë 2/3 për kuorum.
“Nuk ka kurgjo të keqe me folë, por përgjegjësia për me i ba votat i takon partisë së parë. Presidenti Rugova herën e parë e ka dhënë postin e kryeministrit, ku ka qenë zotëri Rexhepi, dhe vetë ka qenë president. Herën e dytë ia ka dhënë zotit Haradinaj, dhe vetë ka qenë president. Herën e tretë është zhgjedhur zoti Sejdiu me përkrahje të PDK-së, dhe kryeministër ka qenë zoti Thaçi. Mirëpo, PDK i ka pasur shumicën, por e ka marrë kryeministrin dhe e ka zgjedhur presidentin me marrëveshje politike”, tha Hamza në Rubikon të Klan Kosovës.
“Në hapin e radhës, zoti Pacolli është zgjedhur po ashtu president, dhe PDK ka qenë partia e parë. Postin e kryerministrit e ka pasur zoti Thaçi, e Pacolli është zgjedhur president. Zonja Jahjaga është zgjedhur në kohën kur shumicën e ka pasur PDK-ja”, deklaroi Hamza.


