
Szoboszlai vendimtar, Liverpool ‘rrah’ keq Marseille-n, futet në top-8 të Champions-it, të gjitha rezultatet
Liverpool ka siguruar një fitore të pastër 3-0 në transfertë ndaj Olympique de Marseille, duke u ngjitur në vendin e katërt në tabelën e Ligës së Kampionëve, shkruan Rekordi.net.
Skuadra e Arne Slot vazhdon formën mbresëlënëse, duke e çuar serinë pa humbje në 13 ndeshje në të gjitha garat (7 fitore, 6 barazime).
Marseille e priti gjashtë herë kampionen e Evropës në “Stade Vélodrome” me shumë besim, pas 14 golave të shënuar në dy ndeshjet e fundit, por Liverpool u tregua i kujdesshëm që në start. Alexis Mac Allister ishte pranë golit të parë, ndërsa Hugo Ekitike pa një realizim t’i anulohej për pozicion jashtë loje pas një krosimi të Dominik Szoboszlait.
Vendasit patën disa tentativa përmes Mason Greenwoodit dhe Amine Gouirit, por Alisson u tregua i sigurt në portë. Zhbllokimi i rezultatit erdhi për Liverpoolin falë një goditjeje të zgjuar dënimi nga Szoboszlai, i cili e kaloi topin nën murin mbrojtës dhe mposhti portierin Gerónimo Rulli në shtyllën e afërt. Ishte kontributi i gjashtë i hungarezit në pesë paraqitjet e fundit në UCL (4 gola, 2 asistime).
Pjesa e dytë ishte më e hapur dhe me ritëm më të lartë. Greenwood testoi sërish Alissonin, ndërsa Ekitike goditi shtyllën pas një pasimi të saktë nga Szoboszlai. Liverpool kërkonte golin e qetësisë dhe e gjeti në minutën e 72-të, kur Jeremie Frimpong fitoi duelin në krah dhe topi i dërguar në zonë u devijua në rrjetë nga Facundo Medina.
Rezultatin e vulosi Cody Gakpo, i cili realizoi me saktësi pas asistimit të Ryan Gravenberch, duke i dhënë “The Reds” një fitore bindëse në Côte d’Azur.
Me këtë triumf, Liverpool është fuqishëm në garë për kualifikim automatik në fazën e 1/8-ave.
Ndërkohë, Marseille shpreson të sigurojë një vend në play-off në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve ndaj Club Brugge, pas humbjes së katërt radhazi ndaj Liverpoolit në përballjet direkte në Ligën e Kampionëve. /Rekordi.net/
Të gjitha rezultatet:



